Friday, October 28, 2011

OBJEKTI I FONETIKËS


Fonetika (greq. phone-tingull, zë) është një degë e rëndësishme e gjuhësisë. Është shkencë që studion sistemin e tingujve të një gjuhe, ndryshimet që pësojnë këta në pozicione të caktuara, si dhe ligjet e këtyre ndryshimeve. Përveç kësaj sot fonetika merret edhe me probleme të tjera të gjuhës së folur, siç janë: theksi, rrokja, intonacioni etj. Objekt të fonetikës duhet të konsiderojmë gjithë mjetet tingëllore të gjuhës, sido që të shfaqen dhe çfarëdo roli që të luajnë. Këtu hyjnë edhe lidhja midis formës formës së tingullit dhe formës së shkruar të gjuhës.
   Sipas shtrirjes në kohë, fonetika e një gjuhe konkrete mund të jetë deskriptive (përshkruese) dhe hiastorike. Fonetika deskriptive, studion sistemin e tingujve të gjuhës dhe ligjet që drejtojnë ndryshimet e këtij sistemi në një etapë të caktuar të zhvillimit të gjuhës. I thonë fonetikë deskriptive a përshkruese sepse përshkruan fonetikën e një periudhe të caktuar dhe ligjet që veprojnë në atë periudhë. Fonetika deskriptive pra, e studion gjuhën në planin sinkronik. Fonetika historike e një gjuhe studion ndryshimet e sistemit tingëllor të gjuhës gjatë një rradhe epokash historike të kësaj gjuhe, deri atje ku ka mundësi të depërtojë shkenca dhe përcakton ndryshimet që ka ky sistem. Fonetika deskriptive dhe historike dallohen midis tyre jo vetëm nga detyrat e studimit por edhe nga burimet e tyre. Burimi i fonetikës deskriptive është gjuha e gjallë e folur në periudhën kur përshkruhet sistemi fonetik.
   Burimet e fonetikës historike janë disa:
a.       Gjuha e gjallë e folur në gjithë variantet e stileve dhe dialekteve
b.      Të dhënat e gjuhës farefisnore, të cilat së bashku me të dhënat e dialekteve janë burim i rëndësishëm për rindërtimin e epokave të hershme të historisë së gjuhës.
c.       Shkrimet. Nga burimet e shkruara të dhënat nxiren duke depërtuar në shqiptim nëpërmjet analizës së grafisë dhe ortografisë. Si metodë fonetika historike përdorë metodën historike krahasimtare (komparative)
   Me gjithë dallimet që ekzistojnë midis tyre, fonetika deskriptive dhe historike e ndihmojnë dhe e plotësojnë njera tjetrën. Fonetika historike e studion gjuhën në planin diakronik.
   Kur fonetika merret me studimi e një gjuhe të caktuar (qoft deskriptive ose historike) i thonë fonetikë e një gjuhe të veçantë ose fonetikë e veçantë. Krahas fonetikës së gjuhëve të veçanta ekziston edhe fonetika e përgjithshme. Kjo studion natyrën e tingujve të të folurit nga pikëpamja akustikofiziologjike dhe linguistike, teorinë e rrokjes dhe të theksit të intonacionit, ligjet e përgjithshme të sistemit fonetik, parimet e përgjithshme të grafisë dhe ortografisë. Kështu pra, fonetika e përgjithshme ndërtohet mbi të dhënat e të gjitha gjuhëve të njohura të botës dhe prej tyre bën përgjithësime.
   Fonetika e ditëve të sotme ndërtohet mbi të dhënat eksperimentale. Kur flasim për metodën eksperimentale, kuptojmë përdorimin e aparateve të ndryshme për studimin e veçorive akustike dhe fiziologjike të tingujve. Për të parë pozicionin e organeve të të folurit gjatë shqiptimit të tingujve të ndryshëm, përdoren rentgenogramat dhe palatogramat. Kinorentgeni na jep mundësi të shohim në ekran gjithë lëvizjet, që bëhen për shqiptimin e një tingulli.
   Për studimin e veçorive akustike të tingujve përdoren aparate si oscilografi, spektografi dhe aparate të tjera, që na lejojnë të përcaktojmë me përpikmëri veçoritë akustike të tingujve dhe pjesëve të tyre.

No comments:

Post a Comment