Friday, October 28, 2011

“Lahuta e Malcis”-Gjergj Fishta


Kur Gjergj Fishta u kthye në Malësi, tregoi miqve më të afërt vargjet që ai i kishte shkruar atje për Marash Ucin. Ata këmbëngulën që ato vargje të botoheshin si libër më vete. Madje dhe e ndihmuan, së bashku me Faik Konicën, duke ndërmjetësuar te Ministria e Jashtme e Austrisë, për mbështjete financiare. Në vitin 1905 u botua në Zarë (në Dalmaci) libri i parë i “Lahutës së Malcis”. Dy vjet më vonë, më 1907, u botua libri i dytë “Vranina” me 4 këngë. Ndërkohë që këta dy libra ribotoheshin (“Vranina” u ribotua 6 herë, ndërsa “Marash Uci” 4 herë, në dy botimet e fundit me titullin “Te Ura e Rrzhanicës”), Fishta shkruante këngët e tjera, të cilat filloi t’i botonte që nga viti 1921 në revistën, që drejtohej prej tij, “Hylli i dritës”. Në vitin 1937 botoi variantin përfundimtar të “Lahutës së Malcis”, që përmblidhte 30 këngë dhe kishte 15563 vargje. Që nga ajo kohë e deri më sot, “Lahuta e Malcis” ka njohur disa botime brenda e jashtë vendit, është përkthyer në italisht dhe gjermanisht.
“Lahuta e Malcis” nuk është një vepër historike, megjithëse mbështetet në ngjarje historike dhe përshkruan persona realë që kanë marrë pjesë në këto ngjarje reale. Vepra e Gjergj Fishtës nuk është as një trillim fantastik, megjisë në të pasqyrohet një popull që bashkëjeton në mënyrë të pandarë me mitet e legjendat e veta. Ajo nuk është, gjithashtu, as një memorial i një analisti të situatës ndërkombëtare, megjithëse autori i saj analizon me hollësi të gjitha vendimet e fshehta apo legale të Fuqive të Mëdha të kohës, që ndikuan në fatin e Shqipërisë. “Lahuta e Malcis” është një poemë epiko-heroike, një vepër epope, subjekti i së cilës është ndërtuar mbi epizode të shumta ku veprojnë një numër i madh personazhesh historike e mitologjike.
Baza kompozicionale e poemës është  konflikti ndërmjet dy popujve të Ballkanit: i shqiptarëve dhe malaziasve. Ky konflikt nis në Vraninë, një ishull i vogël në Liqenin e Shkodrës, pikë kufitare ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe përfundon në Londër, në Konferencën e krerëve të Fuqive të Mëdha, të cilët morrën vendimin që forcat shumëkombëshe të vendoseshin në qytetin e Shkodrës për ta zgjidhur këtë konflikt.
Konflikti i Lahutës së Malcisë zhvillohet duke zgjeruar përmasat e veta. Në Vraninë ndeshet shkodrani Oso Kuka, në krye të rojeve të postës kufitare, me malaziasin Vuk Radoviq, që i printe një bande cubash. Më pas ndeshen forcat e dervish Pashës, të dërguara nga Sulltani, me ushtrinë e Mark Milanit, të ngritur nga krajl Nikolla i Malit të Zi, për të pushtuar tokat e Perandorisë Osmane në Ballkan. Konflikti mbetet jashtë kufijve të shteti të ri të sapoformuar, në Kosovë e Çamëri, në rrethinat e liqeneve të Shkodrës dhe Ohrit.
“Lahuta e Malcis” është eposi i shqiptarëve, është eposi më i ri kombëtar i njëri prej popujve më të lashtë të Evropës. Kjo “kontradiktë” moshash, e shpjeguar nga rrethanat historiko-kulturore të veçanta të popullit shqiptar, justifikohet me vlerat artisktike autentike dhe origjinale të veprës. Parimet nga të cilat u udhëhoq Gjergj Fishta në krijimin e epopesë së shqiptarëve janë një sintezë e poetikës aristoteliane me shkollën romantike të Evropës Perëndimore te shek.XIX.
Fjala fishtian përcjell notat muzikore të instrumentit te lahutës me përsëritjet e tingujve, fjalëve dhe strukturave sintaksore; me epitetet, krahasimet, similitutat e hiperbolat; me metaforat, simbolet e mitemat; me pyetjet e përgjigjet,  me pyetjet retorike, pasthirrmat etj. Leksiku është tepër i pasur (vetëm fjalë të rralla numëron 1274): aliteracioni, rima, ritmi i këmbyeshëm brenda njësisë metrike dhe ndërmjet vargjeve etj.

OBJEKTI I FONETIKËS


Fonetika (greq. phone-tingull, zë) është një degë e rëndësishme e gjuhësisë. Është shkencë që studion sistemin e tingujve të një gjuhe, ndryshimet që pësojnë këta në pozicione të caktuara, si dhe ligjet e këtyre ndryshimeve. Përveç kësaj sot fonetika merret edhe me probleme të tjera të gjuhës së folur, siç janë: theksi, rrokja, intonacioni etj. Objekt të fonetikës duhet të konsiderojmë gjithë mjetet tingëllore të gjuhës, sido që të shfaqen dhe çfarëdo roli që të luajnë. Këtu hyjnë edhe lidhja midis formës formës së tingullit dhe formës së shkruar të gjuhës.
   Sipas shtrirjes në kohë, fonetika e një gjuhe konkrete mund të jetë deskriptive (përshkruese) dhe hiastorike. Fonetika deskriptive, studion sistemin e tingujve të gjuhës dhe ligjet që drejtojnë ndryshimet e këtij sistemi në një etapë të caktuar të zhvillimit të gjuhës. I thonë fonetikë deskriptive a përshkruese sepse përshkruan fonetikën e një periudhe të caktuar dhe ligjet që veprojnë në atë periudhë. Fonetika deskriptive pra, e studion gjuhën në planin sinkronik. Fonetika historike e një gjuhe studion ndryshimet e sistemit tingëllor të gjuhës gjatë një rradhe epokash historike të kësaj gjuhe, deri atje ku ka mundësi të depërtojë shkenca dhe përcakton ndryshimet që ka ky sistem. Fonetika deskriptive dhe historike dallohen midis tyre jo vetëm nga detyrat e studimit por edhe nga burimet e tyre. Burimi i fonetikës deskriptive është gjuha e gjallë e folur në periudhën kur përshkruhet sistemi fonetik.
   Burimet e fonetikës historike janë disa:
a.       Gjuha e gjallë e folur në gjithë variantet e stileve dhe dialekteve
b.      Të dhënat e gjuhës farefisnore, të cilat së bashku me të dhënat e dialekteve janë burim i rëndësishëm për rindërtimin e epokave të hershme të historisë së gjuhës.
c.       Shkrimet. Nga burimet e shkruara të dhënat nxiren duke depërtuar në shqiptim nëpërmjet analizës së grafisë dhe ortografisë. Si metodë fonetika historike përdorë metodën historike krahasimtare (komparative)
   Me gjithë dallimet që ekzistojnë midis tyre, fonetika deskriptive dhe historike e ndihmojnë dhe e plotësojnë njera tjetrën. Fonetika historike e studion gjuhën në planin diakronik.
   Kur fonetika merret me studimi e një gjuhe të caktuar (qoft deskriptive ose historike) i thonë fonetikë e një gjuhe të veçantë ose fonetikë e veçantë. Krahas fonetikës së gjuhëve të veçanta ekziston edhe fonetika e përgjithshme. Kjo studion natyrën e tingujve të të folurit nga pikëpamja akustikofiziologjike dhe linguistike, teorinë e rrokjes dhe të theksit të intonacionit, ligjet e përgjithshme të sistemit fonetik, parimet e përgjithshme të grafisë dhe ortografisë. Kështu pra, fonetika e përgjithshme ndërtohet mbi të dhënat e të gjitha gjuhëve të njohura të botës dhe prej tyre bën përgjithësime.
   Fonetika e ditëve të sotme ndërtohet mbi të dhënat eksperimentale. Kur flasim për metodën eksperimentale, kuptojmë përdorimin e aparateve të ndryshme për studimin e veçorive akustike dhe fiziologjike të tingujve. Për të parë pozicionin e organeve të të folurit gjatë shqiptimit të tingujve të ndryshëm, përdoren rentgenogramat dhe palatogramat. Kinorentgeni na jep mundësi të shohim në ekran gjithë lëvizjet, që bëhen për shqiptimin e një tingulli.
   Për studimin e veçorive akustike të tingujve përdoren aparate si oscilografi, spektografi dhe aparate të tjera, që na lejojnë të përcaktojmë me përpikmëri veçoritë akustike të tingujve dhe pjesëve të tyre.